Secondary Adv

Turizmi po ushqen importet, sasitë e ushqimeve rriten 13 për qind në janar-korrik

Zgjerimi i shpejtë i turizmit po krijon një treg gjithnjë e më të madh për ushqimet në Shqipëri, por prodhimi vendas nuk po arrin të përfitojë në të njëjtën masë nga kërkesa e shtuar.

Në shtatë muajt e parë të vitit 2026, sasitë e produkteve ushqimore të importuara u rritën me 12.8 për qind, me importuesit që po mbulojnë një pjesë gjithnjë e më të madhe të nevojave të tregut.


Në periudhën janar-korrik 2026, Shqipëria importoi rreth 606.4 mijë tonë produkte ushqimore, nga 537.4 mijë tonë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sasia e importuar u zgjerua me rreth 69 mijë tonë, ose 12.8 për qind, sipas të dhënave të tregtisë së jashtme.


Rritja ishte e përhapur në pjesën më të madhe të grup-mallrave. Nga 20 grupet kryesore të ushqimeve dhe produkteve bujqësore, 16 regjistruan shtim të sasive të importuara.


Të dhënat tregojnë se rritja e kërkesës nga turizmi, restorantet dhe strukturat akomoduese nuk po shoqërohet me një zgjerim të mjaftueshëm të prodhimit vendas. Në vend që kërkesa e re të përkthehet në më shumë shitje për fermat shqiptare, një pjesë gjithnjë e më e madhe po plotësohet nga importet.


Rriten turistët dhe konsumi në vend

Ky zhvillim po ndodh në një periudhë kur aktiviteti turistik vijon të zgjerohet. Në qershor 2026, numri i vizitorëve të akomoduar në strukturat turistike u rrit me 17 për qind krahasuar me një vit më parë. Vizitorët jo-rezidentë u shtuan me 20.6 për qind, ndërsa net-qëndrimet e tyre me 9.2 për qind, sipas INSTAT.


Në gjashtë muajt e parë të vitit, në Shqipëri hynë rreth 5.1 milionë shtetas të huaj, 6.2 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Megjithëse hyrjet nuk përfaqësojnë vetëm turistë, ato tregojnë rritjen e popullsisë së përkohshme që konsumon në vend, veçanërisht gjatë sezonit veror.


Drithërat dhanë 65 për qind të rritjes së importeve

Kontributin kryesor në zgjerimin e importeve të ushqimeve e dhanë drithërat. Në janar-korrik 2026 u importuan rreth 239.3 mijë tonë drithëra, nga 194.4 mijë tonë një vit më parë.


Rritja ishte rreth 44.9 mijë tonë, ose 23.1 për qind. Vetëm drithërat përbënin 39.5 për qind të të gjithë sasisë së ushqimeve të importuara dhe rreth 65 për qind të shtesës vjetore.


Një pjesë e importeve të drithërave përdoret si lëndë e parë për industrinë ushqimore dhe ushqimin e kafshëve, por rritja e importeve nuk kufizohet vetëm në këtë kategori.


Importet e perimeve u shtuan me 4.5 mijë tonë, ose 11.1 për qind, duke arritur në 45.5 mijë tonë. Sasitë e frutave dhe arrave të importuara arritën në 64.7 mijë tonë, me një rritje prej 5.1 për qind.


Importet e mishit dhe të brendshmeve të ngrënshme u rritën me 4.9 për qind, në 28.1 mijë tonë, ndërsa produktet e bulmetit, vezët dhe mjalti u shtuan me 6.8 për qind, duke arritur në 21.6 mijë tonë.


Rritje të fortë shënuan edhe kafshët e gjalla, me 19 për qind, produktet e industrisë së bluarjes, maltit dhe niseshtesë, me 14.2 për qind, ushqimet e përgatitura nga mishi dhe peshku, me 17.9 për qind, përgatitjet prej drithërave, miellit dhe qumështit, me 8.6 për qind, si dhe kakaoja dhe përgatitjet me kakao, me 19.6 për qind.


Vetëm gjatë korrikut, grupi “Ushqime, pije dhe duhan” dha një kontribut prej 0.8 pikë përqindjeje në rritjen e importeve totale të vendit.


Prodhimi vendas nuk po ndjek ritmin e kërkesës

Të dhënat më të fundit vjetore tregojnë se disa prej degëve kryesore të bujqësisë dhe blegtorisë po përballen me tkurrje ose me ritme rritjeje të pamjaftueshme për të mbuluar kërkesën.


Në vitin 2025, prodhimi vendas i grurit ra me 10.1 për qind, ndërsa prodhimi i patates u ul me 7.2 për qind. Prodhimi i perimeve u rrit vetëm me 1.5 për qind, shumë më pak se rritja prej 11.1 për qind e sasive të importuara gjatë shtatëmujorit 2026. Të dhënat zyrtare të bujqësisë tregojnë se prodhimi vendas nuk po zgjerohet me të njëjtin ritëm si kërkesa.


Situata është e ngjashme edhe në blegtori. Gjatë vitit 2025, numri i të leshtave ra me 0.9 për qind, i të dhirtave me 7.4 për qind, i derrave me 28.2 për qind dhe i shpendëve me 0.5 për qind. Prodhimi i qumështit u ul, ndërsa ai i vezëve ra me 5.8 për qind. Vetëm prodhimi i mishit në peshë të gjallë u rrit me 2.5 për qind, sipas statistikave të blegtorisë.


Kërkesa e turizmit po reflektohet më shumë te importet

Këto zhvillime nxjerrin në pah dobësinë e lidhjes ndërmjet turizmit dhe bujqësisë vendase. Hotelet dhe restorantet kërkojnë furnizim të vazhdueshëm, sasi të garantuara, standarde të njëjta dhe dërgesa të rregullta. Bujqësia shqiptare, e fragmentuar në ferma të vogla dhe me mangësi në grumbullim, ruajtje dhe shpërndarje, nuk po arrin ta sigurojë këtë furnizim gjatë gjithë sezonit.


Për pasojë, ndërsa turizmi zgjeron tregun e konsumit, efekti në prodhimin bujqësor vendas mbetet i kufizuar. Rritja e kërkesës po reflektohet më shpejt në dogana sesa në fermat shqiptare.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat